Emri dhe arti i këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta në nëntor të vitit të kaluar, vazhdojnë të mbeten të pranishëm në skenën muzikore shqiptare.
Së fundmi, një nga shtëpitë e njohura botuese muzikore ka marrë vendimin që ta nderojë artistin duke e përfshirë në rrethin e figurave të përjetshme të muzikës, si vlerësim për kontributin e tij mbi dy dekada në industrinë muzikore.
Në njoftimin zyrtar, kompania e ka cilësuar Shpat Kasapin si një nga zërat më të veçantë të muzikës moderne shqiptare, i cili me stilin dhe interpretimin e tij la gjurmë të forta në kujtesën e publikut.
“Ndonëse nuk është më mes nesh, muzika e tij vazhdon të jetojë dhe të përcillet brez pas brezi përmes këngëve që la pas”, thuhet në reagim.
Ky nderim ka sjellë edhe një reagim emocional nga bashkëshortja e tij, Selvija, e cila ka shpërndarë publikimin në rrjetet sociale.
Ajo ka shprehur mirënjohje për këtë gjest duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë artistike të Shpatit.
“Faleminderit për ruajtjen e trashëgimisë artistike të Shpatit. Mirënjohëse pa fund”, ka shkruar ajo në Instagram.

