Detektivja e njohur, Shkënda Lili, ka ndarë një nga rastet më të pazakonta që ka hasur gjatë karrierës së saj, teksa ishte e ftuar në “Grida Duma Podcast”.
Ajo tregoi historinë e një 50-vjeçari, i cili dyshonte vazhdimisht se bashkëshortja e tij po e tradhtonte, vetëm sepse ajo kujdesej për veten dhe kalonte më shumë kohë në tualet.
Sipas Shkëndës, pas hetimeve të kryera nga ekipi i saj nuk u gjet asnjë provë që gruaja të kishte një lidhje jashtëmartesore. Megjithatë, burri vazhdonte të këmbëngulte në dyshimet e tij.
“Ai më tha se bashkëshortja lahej shpesh, kujdesej më shumë për veten dhe ishte i bindur se po e tradhtonte. Gjatë bisedave kuptova se bëhej fjalë për një xhelozi të tepruar dhe të pashëndetshme”, rrëfeu detektivja.
Ajo zbuloi se situata mori një kthesë edhe më shqetësuese kur burri i kishte pranuar se kishte vendosur kamera në banjë dhe në ambiente të tjera të shtëpisë për të monitoruar bashkëshorten.
“Kur më tha se kishte vendosur kamera në tualet, mbeta pa fjalë. Madje insistonte që t’i shikoja pamjet, por unë refuzova kategorikisht”, tha Shkënda Lili.
Sipas saj, raste të tilla janë alarmante dhe tregojnë se xhelozia e sëmurë mund të shndërrohet në një rrezik serioz për partnerin dhe familjen.
