“Mund ta çojmë deri në fund mandatin”, Sali sqaron qëndrimin për zgjedhjet

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka deklaruar se rezultatet e zgjedhjeve lokale dëshmojnë një rritje të mbështetjes për VLEN-in, duke theksuar se bashkimi i subjektit politik ka sjellë energji të re dhe besim më të madh nga qytetarët.

Në emisionin “Analizë” në TV 24, Sali u shpreh se pas një viti e gjysmë në qeverisje, VLEN po arrin të realizojë një pjesë të konsiderueshme të premtimeve të dhëna, si në kuadër të koalicionit qeveritar, ashtu edhe si subjekt politik.

“Rezultatet tregojnë se kemi trend rritjeje. Tashmë jemi një parti e bashkuar dhe kjo po reflektohet edhe në mbështetjen që marrim nga qytetarët. Kemi një qeveri stabile dhe nuk shohim pengesa që të mos e përfundojmë mandatin katërvjeçar”, deklaroi Sali.

Ai shtoi se numri i komunave të fituara është më i lartë krahasuar me opozitën, ndërsa disa prej tyre janë fituar që në raundin e parë të zgjedhjeve.

Duke komentuar pretendimet për ndikimin e partnerëve të koalicionit në zgjedhjet lokale, Sali theksoi se qytetarët kanë bërë zgjedhjen e tyre në mënyrë të pavarur, duke shtuar se zgjedhjet lokale kanë karakter të veçantë dhe nuk duhet të interpretohen vetëm në prizmin partiak.

Sipas tij, fokusi i qeverisë mbetet realizimi i programit dhe përmbushja e obligimeve ndaj qytetarëve gjatë gjithë mandatit qeverisës.