Një gjykatë në Ontario të Kanadasë ka shpallur fajtor 60-vjeçarin Kenneth Law për 14 akuza që lidhen me ndihmën në vetëvrasje, pasi ai pranoi se kishte shitur online substanca kimike toksike të përdorura nga persona që më pas i dhanë fund jetës së tyre.
Sipas autoriteteve, Law dyshohet se ka dërguar rreth 1,200 pako me substanca të rrezikshme në 40 vende të ndryshme, duke kontaktuar blerës përmes forumeve online. Një pjesë e konsiderueshme e dërgesave mendohet se kanë përfunduar në Mbretërinë e Bashkuar.
Pranimi i fajësisë erdhi në kuadër të një marrëveshjeje me prokurorinë, ndërsa akuzat më të rënda për vrasje u tërhoqën.
Familjarët e viktimave në Britani kanë shprehur pakënaqësi që ai nuk do të përballet me një proces të veçantë gjyqësor në Mbretërinë e Bashkuar, ku dhjetëra vdekje janë lidhur me substancat që ai dyshohet se ka shpërndarë.
Seanca për shqiptimin e dënimit është caktuar për 23 shtator, ndërsa gjykata do të dëgjojë edhe deklaratat e familjarëve të viktimave.
