Ish-banorja e “Big Brother Kosova”, Sasa Hoda, ka ndarë me ndjekësit e saj një moment tejet emocional, duke u kthyer pas në kohë, dhjetë vite më parë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo kujtoi periudhën e vështirë kur ndodhej e shtrirë në spital, pa e ditur nëse do të kishte mundësinë të buzëqeshte sërish.
Ky rrëfim prekës lidhet me përballjen e saj me një sëmundje jashtëzakonisht të rrallë, të njohur si ‘Hemangioma diffusa tegmenti abdominis et lumbalis per magna’. Kjo diagnozë, e cila shkakton zhvillim jonormal të enëve të gjakut dhe vështirësi në kontrollimin e qarkullimit të gjakut në vena, prek një numër shumë të kufizuar personash në botë.
Për të trajtuar këtë gjendje, Sasa Hoda iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale të rrezikshme, duke u bërë pacienti i parë me këtë diagnozë që i është nënshtruar një trajtimi të tillë. Pas një dekade, ajo thotë se sot buzëqesh me gjithë zemër dhe është thellësisht mirënjohëse për jetën, shërimin dhe forcën që zbuloi se e kishte brenda vetes.
“Nuk është një përvjetor, është rilindja ime,” shkruan Hoda, duke e parë atë periudhë jo vetëm si një luftë për mbijetesë, por si një kapitull që e ka bërë atë shumë më të fortë.


