Sali dërgon mesazh të qartë: Kush nuk mund të vazhdojë, le ta thotë hapur!

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka deklaruar se në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë po bëhet një analizë e detajuar e performancës së të gjithë funksionarëve të koalicionit VLEN.

Në një intervistë për emisionin “360 Gradë”, Sali tha se tashmë është zhvilluar një takim ku është analizuar funksionimi i Qeverisë dhe bashkëpunimi mes partnerëve të koalicionit, ndërsa aktualisht po përgatitet një raport për ministrat, zëvendësministrat, drejtorët dhe drejtuesit e institucioneve të tjera.

“Nëse ka ndonjë që është lodhur nga funksioni, duhet të largohet. Në bazë të raportit do të vendosim se ku duhet të freskohet ekipi”, u shpreh ai.

Sali theksoi se rikonstruimi do të sjellë ndryshime brenda ekipit të VLEN-it, ndërsa mbetet e hapur mundësia për ndryshime edhe në pozicione apo resorë të caktuar.

Sali: BDI hap tema etnike për të zbehur projektet e VLEN-it

Duke komentuar zhvillimet politike, Sali akuzoi Bashkimi Demokratik për Integrim se po hap tema me prapavijë etnike për të dëmtuar, sipas tij, proceset dhe projektet që po realizohen nga VLEN.

Ai tha se një pjesë e projekteve që po zbatohen aktualisht, veçanërisht në pjesën perëndimore të vendit, nuk janë realizuar për më shumë se dy dekada dhe se VLEN po dëshmon kapacitet qeverisës përmes rezultateve konkrete.

Sipas Sali, temat që lidhen me çështje etnike apo politike po përdoren për të krijuar tensione dhe për të zbehur, siç tha ai, arritjet e deritanishme të koalicionit qeverisës.