Rinovimi i vilës së Dua Lipës zgjatet deri në vitin 2027

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa, do të duhet të presë edhe të paktën një vit për t’u vendosur në rezidencën e saj luksoze në Londër, pasi punimet e rinovimit ende nuk kanë përfunduar.

Artistja e bleu pronën në vitin 2020 për rreth 8 milionë euro, ndërsa ka investuar edhe rreth 3.5 milionë euro të tjera për ta shndërruar atë në shtëpinë e ëndrrave. Projekti përfshin ndërtimin e një mega-bodrumi me pishinë, palestër, kinema private dhe studio muzikore.

Punimet nisën në vitin 2024, pasi u vonuan për shkak të procedurave për lejet e ndërtimit dhe kundërshtimeve nga banorët e zonës. Për shkak të kompleksitetit të projektit dhe masave të rrepta për mbrojtjen e zonës, rinovimi po ecën më ngadalë se sa ishte planifikuar.

Ndërkohë, Dua Lipa dhe bashkëshorti i saj, Callum Turner, po jetojnë me qira pranë pronës së tyre, në pritje që rezidenca luksoze të përfundojë. Sipas planit aktual, punimet pritet të mbyllen në korrik të vitit 2027.