Kryetari i degës Tetovë BDI Bajram Rexhepi– njofton se u ka dërguar një shkresë ambasadave të shteteve mike dhe Misionit të OSBE-së në Shkup, ku shpreh shqetësimin për, sipas tyre, veprimet e Komunës së Tetovës në prag të protestës së 11 korrikut.
Në njoftim, BDI pretendon se protesta ishte paralajmëruar me kohë dhe sipas procedurave ligjore pranë Policisë së Tetovës, ndërsa akuzon Komunën se vetëm një ditë para mbajtjes së saj organizoi një aktivitet tjetër në të njëjtin shesh dhe në të njëjtën orë.
Sipas BDI-së, ky veprim nuk është rastësor, por synon të krijojë konfuzion, të pengojë organizimin e protestës dhe të nxisë tensione mes qytetarëve.
Partia thekson se protesta e saj ka karakter paqësor dhe qytetar, ndërsa u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare të monitorojnë situatën, duke vlerësuar se liria e tubimit dhe e shprehjes duhet të respektohet në përputhje me standardet demokratike.
Në fund, BDI shpreh bindjen se praktika të tilla, sipas saj, përbëjnë një precedent shqetësues për demokracinë lokale dhe sundimin e ligjit në vend.
