Policët në Maqedoninë e Veriut mund të mbajnë mjekër dhe tatuazhe, MPB ndryshon rregulloren

Ministria e Punëve të Brendshme ka miratuar ndryshime në rregulloren që përcakton sjelljen dhe paraqitjen e punonjësve policorë, duke lejuar tashmë mbajtjen e mjekrës së rregullt dhe të tatuazheve të caktuara.

Vendimi vjen pas një iniciative të Sindikatës së Pavarur të Policisë, e cila kërkoi përshtatjen e standardeve të paraqitjes me praktikat moderne që aplikohen në shumë vende evropiane. Ndryshimet kanë hyrë në fuqi që nga 1 qershori.

Sipas rregullave të reja, policët me uniformë mund të mbajnë mjekër, për sa kohë ajo është e rregullt, e mirëmbajtur dhe nuk pengon përdorimin e pajisjeve mbrojtëse apo pajisjeve të tjera zyrtare.

Po ashtu, lejohet mbajtja e tatuazheve në duar, por mbeten të ndaluara ato që përmbajnë përmbajtje fyese, raciste, diskriminuese ose vulgare, të cilat mund të dëmtojnë imazhin dhe reputacionin e institucionit.

Sindikatat e policisë e kanë përshëndetur këtë vendim, duke e cilësuar si një hap drejt modernizimit të shërbimit policor dhe përafrimit me standardet bashkëkohore.

Ndërkohë, MPB ka njoftuar se po shqyrton edhe lehtësimin e disa kufizimeve lidhur me përdorimin e telefonave mobilë nga punonjësit policorë në sektorë të caktuar.

Sipas Ministrisë, qëllimi i këtyre ndryshimeve është të ruhet profesionalizmi dhe disiplina në polici, duke iu përshtatur njëkohësisht kërkesave dhe nevojave të kohës.