Shpëtohet një alpinist i lënduar në malin Korab

Një alpinist i lënduar është shpëtuar me sukses sot në malin Korab, pasi përmes Numrit të Emergjencës 112 u raportua se ai nuk mund të lëvizte për shkak të një dëmtimi, njoftoi Qendra e Menaxhimit me Kriza.

Sipas njoftimit, menjëherë pas alarmit, Qendra Rajonale e Menaxhimit të Krizave në Tetovë nisi koordinimin me policinë, Stacionin Policor të Mavrovës dhe Parku Kombëtar i Mavrovës për ndërhyrje të shpejtë në terren.

Rojtarët e parkut arritën ta lokalizojnë alpinistin, i cili ndodhej në gjendje të qëndrueshme, ndërsa më pas filloi operacioni për zbritjen e tij të sigurt drejt fshatit Zhuzhnje.

Në fshat, ai u mor nga ekipi i Ndihmës së Shpejtë nga Gostivari dhe u transportua për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Nga QMK theksuan se falë reagimit të shpejtë dhe koordinimit të institucioneve kompetente, operacioni i shpëtimit përfundoi me sukses.