Disa qytetarë kanë raportuar se po pranojnë njoftime për pagesën e gjobave të trafikut, ndonëse pretendojnë se ato i kanë shlyer më herët. Nga Ministria e Punëve të Brendshme pranojnë se raste të tilla mund të ndodhin në rrethana të caktuara.
Sipas MPB-së, ri-evidentimi i gjobave të paguara mund të jetë pasojë e mosrespektimit të udhëzimeve të përcaktuara në procesverbal ose e plotësimit të gabuar të fletëpagesës gjatë kryerjes së pagesës.
Autoritetet bëjnë të ditur se deri më tani nuk kanë pranuar ankesa zyrtare për raste të tilla, por qytetarët që dyshojnë për gabime teknike ose administrative mund të paraqesin ankesë në stacionet policore kompetente.
Nga MPB rikujtojnë se ekziston një afat ligjor prej tetë ditësh për paraqitjen e ankesës, duke filluar nga dita e pranimit të procesverbalit.
Institucioni shton se qytetarët që paguajnë gjobat sipas udhëzimeve të përcaktuara në procesverbal nuk kanë nevojë të dorëzojnë dëshmi shtesë për pagesën, pasi sistemi duhet ta evidentojë automatikisht atë.
