Një 30-vjeçare ka përfunduar në urgjencë pasi aksidentalisht ka gëlltitur një material stomatologjik, i cili më pas kishte përfunduar në rrugët e frymëmarrjes.
Trupi i huaj, me gjatësi rreth 3.1 centimetra, i kishte shkaktuar pacientes vështirësi në frymëmarrje, kollitje dhe shqetësim.
Rasti është trajtuar në Klinikën e Pulmologjisë të QKUK-së, ku mjekët Besim Morina dhe Flamur Marku kanë kryer me sukses ndërhyrjen përmes bronkoskopisë. Sipas informacioneve të publikuara, mjekët janë paraqitur vullnetarisht në QKUK gjatë vikendit për të kryer procedurën urgjente.
Bronkoskopia përdoret për ekzaminimin e rrugëve të frymëmarrjes, por edhe për largimin e trupave të huaj që mund të përfundojnë në to.
Nga Klinika e Pulmologjisë bëjnë të ditur se raste të tilla nuk janë të rralla. Në raste të mëparshme, mjekët kanë larguar nga rrugët e frymëmarrjes edhe gjilpëra, copa ushqimi dhe bërthama.
Nëse trupi i huaj nuk mund të largohet me bronkoskopi, në raste të caktuara mund të jetë e nevojshme edhe ndërhyrja kirurgjikale.
