Avokatja Krenare Vokshi ka qenë e ftuar një ditë më parë në një lidhje direkte me emisionin “Shqipëria Live”, ku ka folur në lidhje me përplasjen e bujshme mes Jozefin Markut dhe Eduard Kuçit.
Ndaj këngëtarit tashmë rëndojnë zyrtarisht pesë vepra penale: “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.
Pjesë nga biseda në studio:
Gazetarja: Në dijeninë tuaj, duke u nisur nga pesë veprat penale që rëndojnë ndaj Jozefin Markut, çfarë pritet të ndodhë në vijim? A ka gjasa që të lirohet 48 orë pas arrestimit apo do të pritet një vendim tjetër nga drejtësia?
Krenare Vokshi: Sigurisht që pas arrestimit dhe fazës së ndalimit, pritet që gjykata të dalë me një vendim për të vlerësuar rastin, për të parë nëse Jozi do të mund të mbrohet në liri, apo do të vazhdohet me masën e paraburgimit ose të arrestit shtëpiak.
Meqenëse bëhet fjalë për pesë vepra penale, pas një vendimi përfundimtar të Gjykatave në Shqipëri, mund të jepet një dënim unik, i cili llogaritet sipas parimeve ligjore për caktimin e një dënimi të përgjithshëm.
Gazetarja: Çfarë do të thotë saktësisht dënim i përgjithshëm dhe çfarë rrezikon ai?
Krenare Vokshi: Kur një person akuzohet për disa vepra penale që pretendohet se janë kryer në të njëjtën kohë dhe vend, gjykata ka të drejtë të japë një dënim unik duke i bashkuar ato.
Gazetarja: Na thuaj konkretisht se sa vite rrezikon?
Krenare Vokshi: Kjo varet nga secila prej veprave penale të kryera. Për shembull, për veprën ‘Heqja e paligjshme e lirisë’, sipas nenit 110 të Kodit Penal, dënimi parashikohet nga 3 deri në 7 vjet burgim. ‘Mbajtja pa të drejtë e uniformës’ mund të dënohet deri në 5 vite burgim. Ndërsa për ‘Plagosje e lehtë me dashje’, parashikohet dënim me gjobë ose me burgim deri në 2 vite. Këto janë përafërsisht kufijtë minimalë dhe maksimalë që gjykata do të ketë mundësi t’i shqyrtojë dhe vendosë ndaj Jozit.
