Një moment i rrallë dhe plot nostalgji ka emocionuar fansat e telenovelave latine, pasi protagonistët e serialit kult “Kassandra”, Coraima Torres dhe Osvaldo Ríos janë ritakuar sërish pas më shumë se dy dekadash.
Dyshja e famshme, e cila u bë fenomen botëror në vitet ’90, janë parë bashkë në një event të mbajtur në Dubai, duke shënuar një rikthim simbolik të një prej historive më të dashura televizive të kohës.
Ribashkimi i tyre ndodhi gjatë edicionit të tretë të “Top Humanity Leaders Awards”, ku të dy aktorët u nderuan për kontributin e tyre artistik dhe humanitar.
Pamjet e publikuara nga eventi kanë rikthyer emocionet e fansave, të cilët kujtojnë me nostalgji telenovelën që ka lënë gjurmë në shumë vende, përfshirë edhe Ballkanin.
Pavarësisht viteve që kanë kaluar, paraqitja e tyre së bashku ka treguar se kimia dhe lidhja artistike mes tyre mbetet ende e fortë.

