Një ditë speciale dhe plot emocione ka qenë kjo për familjen e aktorit të njohur Jul Deda. Djali i tij, Mateo Deda, ka hedhur firmën në kontratën e tij të parë si futbollist profesionist, duke shënuar një kthesë të rëndësishme në karrierën e tij sportive. Megjithatë, ky moment historik ka sjellë një “sfidë” të re edhe për vetë Julin, i cili i duhet të mbajë një premtim të vjetër që i kishte bërë të birit.
“I kisha premtuar se kur të bënte kontratën e parë profesioniste do lë duhanin, por nuk e dija që do vinte kaq shpejt ky moment”, ka shkruar aktori me humor dhe krenari në rrjetet sociale.
Krahas fotove të Mateos në fushën e blertë, Juli ka shprehur hapur emocionet për punën dhe pasionin me të cilin është rritur i riu, duke vënë në dukje se suksesi nuk vjen asnjëherë rastësisht:
“Jam i lumtur që erdhi kjo ditë, jam krenar për punën dhe pasionin me të cilin u rrite dhe u brumose. Asgjë nuk vjen me shkop magjik, gjithçka ka nevojë për kohën e vet, duhet shumë përkushtim, sakrificë dhe dashuri.”
Në mesazhin e tij prekës, aktori nuk ka kursyer as këshillat më të vlefshme për rrugën e re që e pret Mateon, i cili do ta vazhdojë karrierën e tij te KF Korabi:
“Mos harro kurrë nga ke ardhur dhe si ke ardhur. Qëndro modest, i përkushtuar, pasionant dhe mbi të gjitha puno fort dhe shijoje punën tënde. Paç fat. Të dua!”
Përveç suksesit të djalit në fushën e futbollit, tashmë të gjithë sytë e ndjekësve janë te Juli, për të parë nëse do t’i thotë përfundimisht lamtumirë duhanit.
