“Postat e Maqedonisë së Veriut” kanë njoftuar një masë të re për përmirësimin e kontrollit të shpërndarjes së pakove, duke planifikuar instalimin e kamerave në automjetet e shërbimit. Sipas zyrtarëve të institucionit, kjo risi synon të rrisë transparencën gjatë gjithë procesit të dorëzimit, nga marrja e pakos në zyrë postare deri te dorëzimi te marrësi, me qëllim parandalimin e parregullsive që janë vërejtur në disa raste, pa u dhënë detaje të mëtejshme për natyrën e tyre.
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i “Postave të Maqedonisë së Veriut”, Nikollço Ugrinov, e prezantoi këtë ndryshim gjatë dorëzimit të tre automjeteve të reja në Veles, duke theksuar se monitorimi me kamera në hapësirën e ngarkesës do të ndihmojë në rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së shërbimit postar.
Automjetet e reja, të tipit “Fiat Doblò” të modelit 2026, vijnë të pajisura me teknologji bashkëkohore, përfshirë kondicioner, sistem navigimi, sensorë dhe kamera të pasme. Secili mjet ka kapacitet ngarkese deri në 750 kilogramë.
Posta e Velesit mbulon tre komuna – Velesin, Çashkën dhe Gradsko – me rreth 70 mijë banorë dhe 11 njësi postare.
Në nivel vendi, “Posta e Republikës së Maqedonisë së Veriut” ka siguruar gjithsej 100 automjete të reja, prej të cilave 90 janë mjete të lehta komerciale, ndërsa 10 të tjera janë furgonë më të mëdhenj, me qëllim modernizimin dhe përmirësimin e shërbimeve postare.
