Një kapitull i ri dhe plot emocione duket se po nis për Stresin, por bashkë me të ka ardhur edhe një njoftim që ka surprizuar fansat. Reperi i njohur ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se disa prej këngëve të tij, të cilat kish mbetur të bllokuara për një kohë të gjatë për shkak të çështjeve teknike dhe procedurave kontraktuale me YouTube, më në fund do të jenë të disponueshme për publikun.
Materialet e multikonsumit muzikor janë planifikuar të publikohen në orën 19:00, por menjëherë pas këtij publikimi, Stresi ka paralajmëruar se do t’i japë vetes një pauzë dhe do të tërhiqet përkohësisht nga muzika.
Reperi ka sqaruar se kjo shkëputje nuk duhet parë në asnjë mënyrë si një lamtumirë përfundimtare nga skena, por si një hap i domosdoshëm për t’iu përkushtuar projekteve të tjera profesionale.
“Kam kaluar shumë gjëra në këtë rrugë. Kam rënë, jam ngritur, kam humbur njerëz, kam fituar njerëz… por një gjë nuk ka ndryshuar kurrë: respekti dhe dashuria për ata që më kanë qëndruar pranë”, është shprehur ai.
Në mesazhin e tij falënderues, Stresi iu është drejtuar gjithë atyre që e kanë mbështetur ndër vite – fansave, kolegëve, mbështetësve, por edhe kritikëve – duke theksuar se secili prej tyre ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në karrierën e tij artistike.
Duke mbyllur ngërçin e vjetër me platformën digjitale, ai u ka dërguar këngët atyre që u takojnë me të drejtë: “Më në fund janë aty ku duhet të jenë, te ju”.
