Granit Cana, ish-pjesëmarrës i edicionit të parë të Big Brother VIP, ka ndarë detaje për periudhën më të vështirë dhe më të errët që ka kaluar në jetën e tij. Gjatë një interviste ekskluzive për emisionin “Shqipëria Live” me moderatore Sidorela Gjonin, ai ka zbuluar se prej gati 7 vitesh po përballet me një gjendje të rëndë shëndetësore.
Cana tregoi se simptomat i janë shfaqur edhe gjatë qëndrimit brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, por në atë kohë preferoi të heshtte nga frika se mos keqinterpretohej nga banorët dhe publiku si një përpjekje për t’u viktimizuar.
Pjesë nga rrëfimi prekës i Granit Canës:
“Jam mirë, ka kohë që po përballem me një pjesë të kësaj gjendjeje, megjithëse nuk e di nëse mund ta quaj sëmundje. Kanë kaluar gati 7 vite që kur nisi, fillimisht në mënyrë sporadike. Më shfaqej një pamje e turbullt për rreth 5 minuta dhe më pas largohej, ndaj nuk e konsideroja diçka serioze. Kur hyra në Big Brother, banorët më thoshin: ‘Ua, të ikën sytë’. Dy ose tri herë u përpoqa të flisja për këtë, por ata mendonin se po e përdorja për lojë. Pas daljes nga Big Brother, nuk e dija nëse gjendja ishte ndikuar prej saj apo nga stresi i lojës.”
Ish-banori rrëfeu se situata u rëndua ndjeshëm me kalimin e kohës, duke prekur edhe aftësitë e tij motorike dhe të komunikimit, çka solli një kalvar vizitash mjekësore:
“Arrita në një pikë kur nuk mund të shqiptoja as 2-3 fjalë dhe e kisha të vështirë të përqendrohesha. Në fillim vunë re një lloj strabizmi te sytë dhe nisa kontrollet. Mjeku më tha se sytë ishin të shëndetshëm, por më rekomandoi një skaner, pasi dyshonte për tumor në sinus. Edhe skaneri rezultoi në rregull dhe ne nuk dinim më ku të drejtoheshim. Kryem edhe analiza gjaku, ndërsa u konsultova gjithashtu me neurologë.”
Në fund të rrëfimit të tij, Cana ka hapur zemrën për pasojat e rënda psikologjike që i ka sjellë kjo situatë e pazgjidhur mjekësore, duke pranuar se për një periudhë prej dy vitesh ka rënë në depresion të thellë, gjatë të cilit ka pasur edhe mendime për vetëvrasje.
