Ngjarje tragjike në Ohër, 44-vjeçari vdes gjatë ndërhyrjes policore

Një 44-vjeçar nga Ohër ka humbur jetën mbrëmjen e së mërkurës pasi dyshohet se gëlltiti një pako me drogë gjatë një kontrolli policor të automjetit ku ndodhej si pasagjer, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.

Sipas policisë, një patrullë tentoi të ndalonte një automjet Range Rover me targa çeke, por shoferi nuk iu bind urdhrit për ndalim dhe u largua. Pas veprimeve policore, automjeti u ndal rreth orës 22:30 në bulevardin “Turistiçka” në Ohër.

Gjatë kontrollit, policët vunë re se pasagjeri, 44-vjeçari me inicialet S.P., gëlltiti një pako me drogë. Menjëherë pas kësaj, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua.

Në vendngjarje u thirr Ndihma e Shpejtë, e cila e transportoi në Spitalin e Përgjithshëm në Ohër. Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor, 44-vjeçari ndërroi jetë.

Me urdhër të prokurorit publik, gjatë ditës së sotme do të kryhet autopsia në Spitalin e Përgjithshëm në Manastir, ndërsa policia, në koordinim me prokurorin, po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Shoferi i automjetit, një 32-vjeçar nga Ohri me inicialet I.M., është privuar nga liria.