Netanyahu: Për shkak të luftës me Iranin, nuk e bëra publik kancerin e prostatës

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka bërë të ditur se është diagnostikuar me kancer të prostatës në fazë të hershme, për të cilin ka marrë trajtim, ndërsa publikimin e këtij informacioni e ka shtyrë për rreth dy muaj.

Në një deklaratë të publikuar në platformën X, Netanyahu ka sqaruar se vendosi të mos e bëjë publike gjendjen e tij shëndetësore gjatë kulmit të luftës me Iranin, me qëllim që të shmangte, sipas tij, përdorimin e kësaj çështjeje për propagandë kundër Izraelit.

Raporti i tij vjetor shëndetësor, i publikuar së fundmi, tregon se më 29 dhjetor 2024 ai iu nënshtrua një operacioni për zmadhim të prostatës, ndërsa disa muaj më vonë, gjatë një kontrolli rutinë, mjekët zbuluan një masë malinje në fazë të hershme.

Sipas mjekëve, kryeministri kishte mundësinë të zgjidhte mes monitorimit aktiv ose trajtimit me rrezatim, ndërsa ai vendosi për terapinë me rrezatim të synuar, të cilën e ka përfunduar me sukses.

“Faleminderit Zotit, jam shëndoshë; jam në formë të shkëlqyer fizike; pata një problem të vogël mjekësor me prostatën që u trajtua plotësisht,” është shprehur Netanyahu, duke shtuar se trajtimi ka eliminuar plotësisht problemin pa lënë pasoja.

Ai theksoi gjithashtu se preferon të reagojë menjëherë ndaj çdo rreziku shëndetësor, një qasje që, sipas tij, e ndjek si në jetën personale ashtu edhe në drejtimin e vendit.

Ndërkohë, publikimi i vonuar i informacionit ka nxitur reagime nga opozita, e cila ka kërkuar më shumë transparencë lidhur me gjendjen shëndetësore të kryeministrit, duke e konsideruar atë si çështje të rëndësishme për sigurinë kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *