Maqedonia e Veriut në mesin e pasaportave më të fuqishme të Ballkanit

Pasaporta e Maqedonisë së Veriut vazhdon të ketë një pozitë të qëndrueshme në renditjen ndërkombëtare të dokumenteve të udhëtimit, sipas “Henley Passport Index”.

Sipas të dhënave të paraqitura, pasaporta maqedonase renditet në vendin e 38-të në botë dhe u mundëson qytetarëve të udhëtojnë në rreth 130 destinacione pa vizë paraprake ose me vizë në mbërritje.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Shengen dhe në një pjesë të madhe të Evropës. Megjithatë, për destinacione si SHBA-ja, Kanadaja dhe Australia, si dhe disa shtete aziatike, vazhdon të kërkohet pajisja me vizë paraprakisht.

Si renditet Maqedonia e Veriut në rajon?

Në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit, renditja paraqitet kështu:

  • 🇷🇸 Serbia – vendi i 34-të, me rreth 136 destinacione.
  • 🇲🇰 Maqedonia e Veriut – vendi i 38-të, me rreth 130 destinacione.
  • 🇲🇪 Mali i Zi – vendi i 38-të, me rreth 128–130 destinacione.
  • 🇦🇱 Shqipëria – rreth vendit të 43-të.
  • 🇧🇦 Bosnja dhe Hercegovina – rreth vendit të 43-të.
  • 🇽🇰 Kosova – vendi i 61-të.

Pasaportat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në rajon vazhdojnë të kenë avantazh të dukshëm sa i përket lirisë së udhëtimit.

Në nivel global, vendet aziatike kryesojnë renditjen, me Singaporin, Japoninë dhe Korenë e Jugut ndër pasaportat më të fuqishme në botë.