Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë zërat për një përçarje mes tij dhe presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar se marrëdhëniet mes tyre mbeten të forta dhe të qëndrueshme.
Në një intervistë për “Fox News”, Netanyahu tha se nuk beson se ka ndonjë përçarje me Trump, duke shtuar se të dy udhëheqësit veprojnë në interes të vendeve të tyre.
“Unë jam udhëheqësi i Izraelit dhe bëj atë që është më e mira për Izraelin. 99% të kohës biem dakord, por si në çdo familje, ndonjëherë ka mosmarrëveshje dhe flasim hapur për to”, u shpreh ai.
Duke folur për Iranin, Netanyahu theksoi se qëllimi i përbashkët me SHBA-në mbetet ndalimi i programit bërthamor iranian dhe çmontimi i kapaciteteve të tij.
Ai shtoi se për sa kohë është në detyrë, Irani nuk do të ketë armë bërthamore, ndërsa vlerësoi Trump si një nga aleatët më të rëndësishëm të Izraelit në Shtëpinë e Bardhë.
