Rrëfimi më personal i Bardhit: Nga lufta te dashuria për Sarën

Bardhi ka dhënë një nga intervistat më personale të karrierës së tij në podcastin e Grida Duma, ku ka folur për fëmijërinë, luftën, familjen, karrierën dhe jetën e tij me partneren, Sara Gjordeni.

Mes rrëfimeve më prekëse ishte kujtimi i luftës, kur shtëpia e familjes së tij u godit nga një bombë.

“Dyert ishin plot me plumba”, kujtoi Bardhi, duke treguar për përjetimet që e kanë shoqëruar që nga fëmijëria.

Gjatë intervistës, ai u shpreh se besimi në Zot e ka ndihmuar të përballojë zhgënjimet dhe momentet më të vështira të jetës, ndërsa foli edhe për familjen e madhe ku është rritur dhe vlerat që ka marrë prej saj.

Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua jetës private dhe prindërimit. Bardhi tha se ardhja në jetë e fëmijës e ka ndryshuar plotësisht.

“Pse nuk jam bërë baba më herët?”, u shpreh ai, duke theksuar se prindërimi i ka dhënë një kuptim krejt tjetër jetës.

Në fund të intervistës, këngëtari bëri edhe një deklaratë romantike për Sarën.

“Edhe një jetë tjetër ta kisha, nuk do të gjeja një më të mirë se Sara”, tha ai.