Në “Acibadem Sistina” hapet Qendra e parë për sëmundjet e gjëndrës tiroide në vend

Në Spitalin klinik “Acibadem Sistina” është hapur Qendra e parë e specializuar për sëmundjet e gjëndrës tiroide, e cila ofron diagnostikim, trajtim dhe monitorim të plotë për pacientët e të gjitha moshave, përfshirë edhe fëmijët.

Qendra funksionon me një ekip multidisiplinar specialistësh nga mjekësia nukleare, endokrinologjia, kirurgjia torakale, radiologjia, patologjia dhe pediatria, duke mundësuar kujdes gjithëpërfshirës për pacientët.

Theks i veçantë i vendoset zbulimit të hershëm të anomalive të lindura të tiroideve tek foshnjat, përmes skriningut me ultrazë, i cili do të ofrohet falas për të gjitha foshnjat e lindura në këtë spital.

Sipas mjekëve të spitalit, pacientët tashmë mund të kryejnë brenda një dite të gjitha ekzaminimet e nevojshme si kontroll specialistik, analiza laboratorike, ultrazë, biopsi dhe skanime, pa pasur nevojë për referime në institucione të tjera.

Në rast nevoje, pacientëve u caktohet menjëherë plani i trajtimit, përfshirë edhe ndërhyrjet kirurgjikale ose terapinë me radiojod, të cilat ofrohen në spital.

Nga “Acibadem Sistina” theksohet se operacionet e gjëndrës tiroide kryhen me ndihmën e sistemit të neuromonitoringut, i cili rrit sigurinë e ndërhyrjes dhe ul rrezikun e dëmtimit të nervave të zërit.

Me hapjen e kësaj qendre, spitali synon të vendosë standarde të reja në trajtimin e sëmundjeve të tiroideve dhe të shndërrohet në qendër referente në rajon.