Vesna Janevska ka njoftuar se prindërit e nxënësve që ushtrojnë dhunë në shkolla do të përballen me gjobë prej 250 eurosh, në kuadër të ndryshimeve të reja në Ligjin e Arsimit Fillor.
Sipas ministres, masa do të zbatohet në rastet kur prindërit refuzojnë të bashkëpunojnë me shkollën dhe institucionet përkatëse pas akteve të dhunës të kryera nga fëmijët e tyre.
Ndërkohë, LSDM ka kërkuar përgjegjësi institucionale pas rasteve të fundit të dhunës në shkolla dhe konvikte. Përfaqësuesi i partisë, Jovançe Manaskov, deklaroi se mungojnë masat parandaluese, psikologët dhe protokollet e sigurisë nëpër shkolla.
Nga ana tjetër, organizata MEGJASHI paralajmëroi se dhuna mes të rinjve po rritet edhe në formën verbale dhe kibernetike, ndërsa ekspertët kërkojnë më shumë bashkëpunim mes prindërve, shkollave dhe nxënësve.
Debati është rikthyer pas disa rasteve të fundit të bullizmit dhe dhunës mes nxënësve në shkolla të ndryshme në vend.
