MPB paralajmëron qytetarët: Po shpërndahen mesazhe mashtruese

Ministria e Punëve të Brendshme ka paralajmëruar qytetarët për një valë të re mashtrimesh online, ku persona të panjohur po dërgojnë mesazhe të rreme për kinse kundërvajtje në trafik dhe kërkojnë pagesa përmes një faqeje false.

Sipas Sektorit për Krim Kibernetik pranë Byrosë për Siguri Publike, mesazhet po dërgohen nga numri i huaj +639606963624 dhe përmbajnë një link të rremë që imiton faqen zyrtare të MPB-së.

Pasi qytetarët klikojnë në link, ata dërgohen në një faqe mashtruese ku u kërkohet të fusin targën e automjetit dhe më pas të paguajnë 1500 denarë për një kundërvajtje të pretenduar.

Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të mos hapin linke të dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo bankare dhe të kontrollojnë gjithmonë nëse mesazhet vijnë nga dërgues të verifikuar.

Sipas MPB-së, mesazhet autentike duhet të kenë si dërgues emrin “MVR-SC” (MPB-Safe Country).