Një video që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale ka rikthyer në qendër të vëmendjes raportin mes moderatorit të “Big Brother VIP”, Ledion Liço, dhe producentes Sara Hoxha.
Në video dëgjohet Monika Kryemadhi, opinioniste e këtij sezoni të BBV, teksa komenton marrëdhënien mes dyshes së njohur, për të cilët prej kohësh qarkullojnë aludime për një ndarje.
Edhe pse as Ledioni dhe as Sara nuk kanë reaguar publikisht për të konfirmuar apo mohuar zërat, ata kanë vazhduar të punojnë së bashku gjatë gjithë spektaklit, gjë që ka ngjallur kureshtje të madhe te publiku.
Monika Kryemadhi u shpreh se gjatë gjithë kohës kishte vënë re profesionalizmin e tyre dhe mënyrën si kishin ndarë jetën personale nga puna në televizion.
“Ledioni komunikonte me kufje me Sarën, kanë komunikuar gjatë gjithë kohës bashkë. Kam kuptuar që nuk kishte të bënte ana personale sesa kishte të bënte produkti i projektit dhe kjo ishte një gjë kryesore. Unë e kam parë që edhe Sara edhe Ledioni kanë qenë shumë profesionist”, tha ajo.
Deklarata e Kryemadhit konsiderohet si një nga komentet e para të drejtpërdrejta nga një personazh i afërt me produksionin, duke hedhur më shumë dritë mbi raportin profesional të çiftit në prapaskenat e BBV.
