Humbja e rëndë për Dj Dagz, ndahet nga jeta babai i tij

Artisti i njohur Dagz po përballet me një humbje të rëndë familjare. Babai i tij, Naim (Limon) Gumnishta, ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë me problemet shëndetësore.

Lajmin e trishtë e bëri të ditur vetë Dagz përmes një postimi në Instagram, ku shkroi fjalët prekëse: “U preftë në paqe, babë!”

Vetëm dy net më parë, artisti kishte ndarë me ndjekësit gjendjen e rëndë shëndetësore të të atit, i cili ndodhej i intubuar dhe po luftonte për jetën.

Dagz kishte treguar gjithashtu se babai i tij kishte qenë mbështetja e tij e pakushtëzuar gjatë gjithë karrierës 17-vjeçare, duke e inkurajuar të vazhdonte rrugëtimin në muzikë edhe në momentet më të vështira.

“Unë jam i fortë, babë, qashtu qysh ti ki pas qef unë me kon”, kishte shkruar ai në mesazhin e tij emocional.

Sipas njoftimit të familjes, ceremonia e varrimit do të mbahet të martën, më 27 tetor, në orën 14:20, në varrezat e qytetit të Vushtrrisë, në fshatin Begaj.

Ngushëllime familjes Gumnishta për këtë humbje të madhe.