Një incident i rëndë është regjistruar pranë pikës kufitare Bllacë, ku një zyrtar policor është sulmuar dhe më pas është tërhequr nga një automjet gjatë një ndërhyrjeje ndaj personave të dyshuar për kontrabandë.
Ngjarja ka ndodhur më 12 shtator, rreth orës 17:15, në zonën e quajtur “Vrazhji Vir”, në drejtim të Shkupit. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, policët e QR Veri kanë identifikuar një “Volkswagen Transporter” me targa të huaja, i cili dyshohet se transportonte mallra të kontrabanduara.
Shoferi nuk iu bind urdhrit të policisë për t’u ndalur dhe vazhdoi rrugën. Megjithatë, pas një ndjekjeje të shkurtër, automjeti u ndalua.
Situata u përshkallëzua gjatë tentativës për arrestimin e shoferit. Në vendngjarje mbërriti një automjet tjetër, prej të cilit doli një person që sulmoi fizikisht njërin prej policëve.
Sipas njoftimit të MPB-së, njëri prej personave e kapi efektivin për krah dhe ai u tërhoq për një distancë nga automjeti, i cili drejtohej nga personi tjetër. Polici më pas u lirua, ra në tokë dhe pësoi lëndime.
Autoritetet kanë nisur procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit dhe identifikimin e personave të përfshirë.
