Miliona fuçi naftë kalojnë çdo ditë: SHBA krijon korridor përmes Hormuzit

Ushtria amerikane ka krijuar një korridor të posaçëm detar përmes Ngushticës së Hormuzit, me qëllim që të mundësojë vazhdimin e transportit të naftës nga Gjiri Persik drejt tregjeve ndërkombëtare.

Sipas dy zyrtarëve amerikanë të cituar nga Axios, operacioni po zhvillohet prej disa javësh dhe çdo natë rreth 15 deri në 20 cisterna kalojnë përmes një rruge detare në pjesën jugore të ngushticës, pranë brigjeve të Omanit.

Sipas të njëjtave burime, përmes këtij korridori transportohen aktualisht rreth 10 milionë fuçi naftë në ditë, duke siguruar një pjesë të rëndësishme të furnizimit të tregut global.

Operacioni amerikan përfshin edhe ndihmën për cisternat bosh që hyjnë në Gjirin Persik përmes ngushticës, ngarkohen me naftë dhe më pas rikthehen në rrugët ndërkombëtare të transportit.

Detajet e plota të operacionit nuk janë bërë publike. Një zyrtar amerikan pretendoi se, pavarësisht ndërhyrjeve të Gardës Revolucionare iraniane, kontrolli i pjesës jugore të Ngushticës së Hormuzit mbetet në duart e SHBA-së.