Kamerat inteligjente të Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK) kanë detektuar në kohë një zjarr në territorin e fshatit Nikushtak, në Komunën e Likovës.
Pas alarmit, menjëherë janë njoftuar Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Kumanovë dhe “Pyjet Kombëtare” – Kumanovë, për të ndërhyrë në terren.
Sipas QMK-së, sistemi për detektimin e hershëm të zjarreve pyjore mundëson monitorimin e situatës në kohë reale, ndërsa operatorët mund të ndjekin vizualisht zjarrin dhe drejtimin e përhapjes së tij.
Përmes këtij sistemi mundësohet edhe koordinimi më i shpejtë i ekipeve dhe resurseve në terren, deri në lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit.
Drejtori i QMK-së, Muhamed Ali, tha se përdorimi i kamerave inteligjente mundëson reagim më të shpejtë dhe koordinim më efikas në rastet e zjarreve pyjore.
