Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të opozitës, duke e quajtur liderin e LSDM-së Venko Filipçe “analfabet politik”.
Mickoski tha se afati për përmbushjen e pikave të agjendës evropiane nuk përfundon më 1 qershor, por më 30 qershor, duke theksuar se kritikat ndaj qeverisë janë të pabazuara dhe tregojnë mungesë njohurish elementare.
“Më vjen keq kur analfabetë politikë denjojnë të japin komente të tilla sepse afati nuk është 1 qershori por 30 qershori. Kjo është mosnjohje elementare, sidoqoftë. Në bazë të raportit të dhjetorit, ne jemi “frontrunner” të vërtetë, në vendin e dytë është Shqipëria, në vendin e tretë Mali i Zi në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ne shfrytëzojmë pjesën më të madhe të mjeteve si rezultat i reformave dhe hapave të përmbushur. Nga biseda që pata me kolegët, jam shumë optimist se edhe ato që janë në “grace period” dhe atyre që afati u përfundon në fund të qershorit, të paktën 90% do të përmbushen,” deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se vendi ka performancën më të mirë në rajon në përmbushjen e reformave dhe mbetet optimist për përmbushjen e shumicës së afateve deri në fund të qershorit.
