Autoritetet turke kanë zhvilluar një operacion policor në shkallë të gjerë në kuadër të një hetimi për korrupsion që lidhet me Bashkinë e Silivrit, e cila drejtohet nga opozita.
Sipas mediave turke, të paktën 17 persona janë arrestuar gjatë aksionit, mes tyre edhe kryebashkiaku i Silivrit, Bora Balcıoğlu.
Operacioni është realizuar nga ekipet e Departamentit të Krimit Ekonomik pranë Policisë së Stambollit, me urdhër të Prokurorisë së Silivrit, e cila po heton dyshimet për parregullsi dhe korrupsion në administratën komunale.
Gjatë aksionit, policia ka kryer kontrolle edhe në ndërtesën e bashkisë, ndërsa personat e ndaluar janë shoqëruar për ekzaminime mjeko-ligjore dhe më pas janë dërguar në stacionin policor për t’u marrë në pyetje.
Bashkia e Silivrit drejtohet nga Partia Republikane Popullore (CHP), forca më e madhe opozitare në Turqi.
Rasti vjen në një kohë kur edhe figura të tjera të rëndësishme të opozitës po përballen me hetime dhe procese gjyqësore, përfshirë kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem İmamoğlu, i cili ndodhet në paraburgim nën akuza për korrupsion.
