Mickoski: Çështja e Provimit të Jurisprudencës u la pezull nga ministrat e BDI-së

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se qeveria aktuale po punon për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e provimit të jurisprudencës, duke theksuar se ky problem ka mbetur i pazgjidhur për vite me radhë.

Në një intervistë për Alsat-M, Mickoski tha se nuk sheh arsye pse pjesa teorike e provimit të jurisprudencës të mos mund të zhvillohet edhe në gjuhët në të cilat ofrohet arsimi i lartë në vend, si shqipja, turqishtja apo anglishtja.

Sipas tij, nëse shteti ka lejuar funksionimin e universiteteve në këto gjuhë, atëherë duhet të shqyrtohet edhe mundësia që kandidatët të kenë të drejtën ta japin pjesën teorike të provimit në gjuhën në të cilën kanë studiuar.

Megjithatë, ai theksoi se qëndrimi i Komisionit të Venecias mbetet që në sistemin gjyqësor duhet të ekzistojë një gjuhë e përbashkët pune, duke shtuar se kjo nuk bie ndesh me mundësinë e zhvillimit të pjesës teorike të provimit në gjuhë të tjera.

Mickoski u referua edhe statistikave, duke thënë se shumica dërrmuese e kandidatëve shqiptarë që deri më tani e kanë dhënë provimin në gjuhën maqedonase kanë arritur ta kalojnë me sukses.

Ai shtoi se ligji aktual nuk e përcakton drejtpërdrejt mënyrën e zhvillimit të provimit, por i jep kompetencë Ministrisë së Drejtësisë që këtë çështje ta rregullojë me akte nënligjore.

Kryeministri kritikoi qeveritë e mëparshme, duke deklaruar se edhe ministra shqiptarë të Drejtësisë nuk kanë ndërmarrë hapa për zgjidhjen e këtij problemi, ndërsa sipas tij, qeveria aktuale ka vullnet politik për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët.