Menduh Thaçi : “Maqedonasit s’duan bashkëjetesë me shqiptarët”

Menduh Thaçi: “Shteti po shkon drejt ndarjes, kryeministri po sillet si lider vetëm i maqedonasve”

Në një deklaratë të fortë në emisionin “Dialog te LAJMI”, lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke shprehur shqetësim për drejtimin që po merr shteti pas zgjedhjeve lokale.

Thaçi deklaroi se Maqedonasit, sipas tij, po “parapërgatiten për ndarje”, duke shtuar se nuk ka plane serioze për një shtet të përbashkët funksional dhe demokratik.

Ai kritikoi ashpër edhe kryeministrin, duke thënë se ai po vepron si përfaqësues vetëm i një komuniteti:

“Nëse jemi shtet normal demokratik nuk kemi punë me VLEN-in, por me kryeministrin, i cili paradreke-pasdite, në mbrëmje-në mëngjes, me darkë pa darkë demonstron se është kryeministër i maqedonasve,” tha Thaçi.

Sipas tij, kryeministri ka harruar detyrimin për të përfaqësuar edhe shqiptarët dhe për të garantuar të drejtat e tyre, përfshirë gjuhën, mirëqenien dhe shpërndarjen e drejtë të buxhetit shtetëror.

Ai shtoi se shqiptarët po përballen me “poshtërim të madh”, ndërsa kërkoi më shumë barazi dhe trajtim të drejtë në institucione.