Monika Kryemadhi është pyetur nga Selin Bollati në emisionin “Goca dhe Gra” nëse do të jetë apo jo pjesë e sezonit të ri të “Big Brother VIP”.
“Këtë sezon të ri, në Big Brother do jesh apo jo?”, ishte pyetja e drejtpërdrejtë e Selin Bollatit.
Kryemadhi nuk dha një përgjigje përfundimtare, por pranoi se do ta kishte me qejf një eksperiencë të tillë, duke theksuar se vendimi i takon produksionit.
“A do kisha qejf? Patjetër që do kisha qejf, por mendoj që janë ngritur njerëzit për sistem të ri, njerëz të rinj. Çfarë do bëj unë prapë në BBV? Mendoj që kjo është në dorë të produksionit dhe mendoj që Sara është ajo që i merr vendimet, bashkë me grupin e punës që e vendosin. Unë di të them që kam kaluar një kohë të jashtëzakonshme në BBV me gjithë stafin”, tha Kryemadhi.
Gjatë bisedës, Selin Bollati i kujtoi komentet që Monika kishte bërë për të kur ajo ishte opinioniste dhe Selin banore e “Big Brother VIP”.
“Me ty shikoja veten time shumë të re. Sigurisht që ma hiqje truri me Mirin”, u shpreh Kryemadhi.
“Monika, më ke rënë në qafë, por nuk do bëj sherr sot me ty, kështu që po e lë me kaq”, iu përgjigj Selin Bollati.
Më tej, Kryemadhi vlerësoi artikulimin dhe qëndrimin luftarak të Selinit, duke theksuar rëndësinë që gratë dhe vajzat në Shqipëri të luftojnë për atë që duan.
“Të adhuroja për artikulimin, pozicionin luftarak që kishe, se për hir të së vërtetës një grua dhe një vajzë në Shqipëri e ka të domosdoshme të luftojë dhe gjithmonë humbet ajo që nuk lufton. Për fatin tonë të keq, ne duhet të jemi luftëtare në çdo moment, për çdo gjë, dhe për fatin e mirë ne jemi nëna luftëtare që do t’i mësojmë gocat të luftojnë”, tha Kryemadhi.
