Bes Kallaku jep lajmin për Erjon Vishkullin: “Lavdi Zotit është më mirë”

Aktori dhe këngëtari Bes Kallaku ka dhënë një përditësim për gjendjen shëndetësore të mikut të tij, Erjon Vishkulli, i cili u plagos gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë.

Përmes një postimi në Instagram, Kallaku bëri të ditur se kishte folur me Erjonin mëngjesin e sotëm dhe se gjendja e tij është më e mirë nga sa pritej. Megjithatë, dëmtimi në syrin e majtë mbetet serioz dhe ai ka nevojë për trajtim të specializuar jashtë Shqipërisë.

“Sot në mëngjes pata mundësinë të flas me Erjonin! Lavdi Zotit është më mirë, por ka nevojë për një ndërhyrje më të specializuar jashtë shtetit. Presim që sot të niset! Ju falënderojmë të gjithëve për mbështetjen dhe gatishmërinë që keni treguar. Zoti ju bekoftë!”, shkroi Kallaku.

Vishkulli u plagos gjatë protestës, ku sipas raportimeve u godit nga një plumb gome. Pas një ndërhyrjeje emergjente në Spitalin e Traumës, gjendja e tij është përmirësuar, por ai ka nevojë për trajtim të mëtejshëm.

Tashmë, familjarët dhe miqtë shpresojnë për rikuperimin e tij, ndërsa pritet të mësohet se ku do të marrë trajtimin e specializuar.