“Hyrjet e fundit prishën harmoninë në fermë” –Bajko rrëfen të pathënat pas eksperiencës në “Ferma VIP”

Tashmë që aventura e “Ferma VIP 3” ka përfunduar, Blerina Bajko rikthehet te momentet më të forta të eksperiencës së saj në reality show, duke zbuluar edhe disa prej prapaskenave që e kanë shoqëruar gjatë qëndrimit në fermë.

Ish-fermerja dhe vajza e aktorit të njohur Agim Bajko ka dhënë një intervistë ekskluzive për Revistën Bordo, ku ka folur hapur për eliminimin e saj, atmosferën brenda formatit dhe dinamikat që ndryshuan gjatë rrugëtimit.

Një prej momenteve që Blerina e veçon është periudha e hyrjeve të fundit në fermë. Ajo tregon se ardhja e Zhakut dhe Kostanës ndikoi negativisht në atmosferën që ishte krijuar mes fermerëve.

“Hyrja e Zhakut dhe Kostanës ka qenë një episod shumë negativ për mua dhe diçka që nuk i përshtatej formatit. Ishin shumë agresive dhe vinin shumë të ngarkuara me një mllef pa diskutim të akumuluar jashtë edhe përmes rrjeteve sociale”, rrëfen Blerina.

Sipas saj, deri në atë moment fermerët kishin krijuar një lloj harmonie, e cila më pas ndryshoi.

“Ajo lloj harmonie që ne kishim krijuar në fermë deri në atë ditë u prish”, shprehet ajo.

Blerina ka sqaruar edhe deklaratën e saj në momentin e largimit nga “Ferma VIP 3”, kur tha se shpresonte që gjërat të ndryshonin. Ajo tregon se fjalët e saj lidhen pikërisht me atmosferën dhe zhvillimet e fundit që kishte përjetuar brenda formatit.

Ndërsa sa i përket faktit që u largua pa përshëndetur fermerët, Blerina tregon se ishte një vendim i ndikuar nga emocionet e forta.

“Isha shumë e ngarkuar nga ana emotive dhe e dija shumë mirë që do qaja dhe do bëja një figurë që nuk do më pëlqente, se kam hyrë si një vajzë e fortë edhe doja të dilja me të njëjtën kokë lart”, tregon ajo.

Në intervistën për “Bordo”, Blerina është ndalur edhe te një tjetër temë që e ka shoqëruar prej kohësh: mbiemri i saj dhe ideja se mund të jetë favorizuar për shkak të babait të saj.

Ajo e cilëson këtë një histori tashmë të konsumuar, duke theksuar se prej rreth 10 vitesh ka punuar në Shqipëri, në media dhe në drejtimin e institucioneve private e publike.

“Pa diskutim emrin dhe mbiemrin unë e kam, jam krenare që e kam, por besoj që deri tani më ka krijuar thjesht më shumë probleme sesa privilegje”, shprehet Blerina Bajko.

/bordo.al