Qeveria ka njoftuar zgjerimin e rrjetit të linjave ajrore dhe vendosjen e fluturimeve të reja nga aeroportet e Maqedonisë gjatë sezonit veror, edhe pse nuk u arrit marrëveshje me kompaninë “Ryanair”.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski deklaroi se këtë verë do të hapen pesë linja të reja ajrore nga Shkupi dhe Ohri.
Sipas tij, shteti mbetet i hapur për bashkëpunim me të gjitha kompanitë ajrore, por nuk do të pranojë kushte që mund të dëmtojnë interesat shtetërore dhe transportuesit e tjerë.
“Ne ofrojmë subvencion prej 9 euro për çdo pasagjer të huaj në aeroportin e Shkupit dhe 12 euro për aeroportin e Ohrit. Nëse duan të marrin pjesë, dera është e hapur. Por nuk mund të pranojmë shantazhe dhe kërkesa për subvencione më të larta vetëm për një kompani”, tha Nikoloski.
Sipas njoftimeve, Austrian Airlines do të hapë linjën direkte Vjenë–Ohër, ndërsa në qershor pritet të nisin edhe fluturimet nga Krakow dhe Wroclaw drejt Ohrit.
Ndërkohë, nga Aeroporti i Shkupit do të vendosen dy destinacione të reja – Palermo në Siçili dhe Alghero në Sardenjë.
Nikoloski shtoi se Wizz Air do të stacionojë një aeroplan të shtatë në Aeroportin e Shkupit, ndërsa po shqyrtohet edhe mundësia e krijimit të një baze në Aeroportin e Ohrit.
