Çfarë posedon Menduh Thaçi? Publikohen të dhëna për pasurinë e tij

Menduh Thaçi ka folur hapur për pasurinë e tij gjatë mega-intervistës në emisionin “Dialog te LAJM’i”, duke komentuar zërat dhe aludimet që kanë qarkulluar prej vitesh për të.

I pyetur për deklarimin e pasurisë prej rreth 480 mijë euro dhe pretendimet se nga qiratë e “Interpromet”-it fiton rreth 400 mijë euro në muaj, Thaçi i mohoi këto pretendime.

“Pasuria ime është aq sa më duhet mua. Sa i duhet njerëzve, familjes, pasardhësve të mi”, deklaroi ai.

Thaçi tregoi se para hyrjes në politikë ka punuar në profesione të ndryshme, duke thënë se ka qenë “fasader” për 11 vite, ndërsa bashkë me familjen kanë pasur “pemëshitesen më të fortë që ka punuar 24 orë në Tetovë”.

Ai tha se shumica e mjeteve financiare janë krijuar nga rrogat e tij si deputet, pasi që nga viti 2002 është zgjedhur deputet dhe për një kohë të gjatë ka jetuar në bashkësi familjare.

“Këto ‘Interpromet’-et janë fjalët e Ali Ahmetit e njerëzve tjerë”, tha Thaçi, duke shtuar se të gjitha transaksionet e tij kanë qenë me “legalitet të plotë”.

Sipas tij, diskriminimi më i madh ndaj shqiptarëve në Maqedoni ka qenë në aspektin ekonomik, sidomos gjatë privatizimit të kapitalit shtetëror.

“Po të kisha qenë në biznes, do të isha mijëra herë më i suksesshëm se në politikë”, u shpreh ndër të tjera kreu i PDSH-së.