Maqedonia e Veriut merr 260 milionë euro borxh të ri

Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të marrë një kredi të re prej 260 milionë eurosh nga institucione financiare europiane dhe botërore, pasi fillimisht ishte planifikuar një huamarrje prej 300 milionë eurosh nga bankat komerciale të huaja.

Sipas autoriteteve, mjetet do të përdoren për mbulimin e nevojave buxhetore dhe një pjesë për investime kapitale. Ligji për huamarrjen tashmë ndodhet në procedurë parlamentare.

Zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, deklaroi se në Ministrinë e Financave kanë mbërritur tetë oferta dhe se është vendosur të merren 260 milionë euro, pasi 40 milionë euro pritet të sigurohen nga projekte të Bashkimit Europian.

Nga ana tjetër, opozita ka kritikuar mënyrën e procedimit të ligjit. Deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski, tha se bëhet fjalë për një huamarrje serioze dhe se ligji duhet të kalojë me procedurë të rregullt parlamentare.

Sipas kushteve të propozuara, kredia do të tërhiqet në një këst të vetëm, me afat kthimi prej shtatë vitesh dhe tre vite grejs periudhë. Pagesa do të realizohet në nëntë këste gjashtëmujore.

Norma e interesit do të jetë variabile dhe do të llogaritet me EURIBOR gjashtëmujor plus 2.10 për qind. Përveç interesit, shteti do të paguajë edhe provizione shtesë, përfshirë një pagesë të njëhershme prej 1.4 për qind të shumës së borxhit.

Sipas të dhënave zyrtare, borxhi publik i Maqedonisë së Veriut aktualisht arrin pothuajse 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.