Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Degës së BDI-së në Gostivar, ku u zgjodhën strukturat e reja drejtuese të degës.
Gjatë kuvendit u zgjodhën Kryesia e Degës, Këshilli Mbikëqyrës, Komiteti i Veteranëve, sekretarët e sekretariateve tematike dhe strukturat e tjera organizative të partisë.
Në fjalën e tij, Ahmeti vlerësoi angazhimin e anëtarëve, duke theksuar se Gostivari mbetet një nga shtyllat kryesore të BDI-së.
“Atmosfera, entuziazmi dhe përkushtimi i anëtarëve dëshmojnë se Gostivari është i vendosur të mbetet një nga shtyllat më të fuqishme të Bashkimit Demokratik për Integrim”, u shpreh ai.
Ahmeti uroi strukturat e reja për detyrat e marra dhe theksoi se zhvillimet politike në vend kërkojnë më shumë unitet dhe angazhim.
Sipas tij, BDI do të vazhdojë angazhimin për, siç u shpreh, rikthimin e dinjitetit, barazisë dhe respektimit të vullnetit të qytetarëve, duke shtuar se me organizim dhe bashkim, Gostivari do të ketë rol të rëndësishëm në sfidat politike që e presin vendin.
