Ermonela Jaho ka interpretuar për herë të fundit personazhin e Violetës në La Traviata, në skenën e Teatro Costanzi, duke mbyllur një nga kapitujt më të rëndësishëm të karrierës së saj artistike.
Pas afro 300 interpretimeve të këtij roli në teatrot më prestigjioze të botës, Jaho vendosi t’i japë lamtumirën personazhit me të cilin është identifikuar për më shumë se dy dekada.
Edhe paraqitja e saj në Romë u vlerësua lart nga kritika, e cila theksoi intensitetin emocional dhe interpretimin e jashtëzakonshëm të sopranos shqiptare, veçanërisht në aktin e tretë të operës.
Produksioni, që shënon dhjetë vjet në repertorin e Operës së Romës, u realizua nga regjisorja Sofia Coppola, me skenografi të Nathan Crowley, kostume nga Valentino Garavani dhe drejtim muzikor nga Francesco Ivan Ciampa.
Për kritikët ndërkombëtarë, Ermonela Jaho mbetet një nga interpretueset më të shquara të Violetës në dy dekadat e fundit, ndërsa lamtumira e saj nga ky rol konsiderohet fundi i një epoke në historinë e operës bashkëkohore.
