Sot ka filluar procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Kosovë për zgjedhjet e 7 qershorit.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00 sipas kohës lokale të shteteve ku votojnë qytetarët e Kosovës.
Në këtë proces do të mund të votojnë vetëm 27.724 votues të regjistruar paraprakisht për votim në përfaqësitë diplomatike. Votimi po zhvillohet në 47 vendvotime, të vendosura në 17 ambasada dhe 13 konsullata të Kosovës në 18 shtete të ndryshme.
KQZ ka bërë të ditur se gjatë ditës do të mbajë konferenca për të informuar opinionin mbi ecurinë e procesit të votimit jashtë vendit.
