Ahmeti: BDI-ja nuk frikësohet dhe nuk mposhtet politikisht

Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, nga tubimi qendror me rastin e 24-vjetorit të themelimit të partisë në Shkup, deklaroi se BDI-ja nuk mund të frikësohet dhe as të mposhtet politikisht.

Ahmeti theksoi se partia mbetet e përkushtuar për ndërtimin e një shteti demokratik dhe euroatlantik, duke vazhduar angazhimin për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Në fjalimin e tij, ai përmendi një sërë arritjesh politike të viteve të fundit, duke theksuar se, sipas tij, shumë prej proceseve të rëndësishme shtetërore mbajnë vulën e BDI-së, përfshirë anëtarësimin në NATO dhe avancimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Lideri i integristëve nënvizoi se qëllimi i partisë nuk është destabilizimi i vendit, por përshpejtimi i rrugës drejt Bashkimit Evropian, duke u bërë thirrje udhëheqësve aktualë të nxjerrin mësime nga gabimet e së kaluarës.

Tubimi u mbajt në Parkun e Qytetit në Shkup, ku drejtuesit e partisë riafirmuan orientimin proevropian dhe përkushtimin ndaj proceseve integruese të Maqedonia e Veriut.