Një incident i rëndë është regjistruar në Tetovë, ku një 22-vjeçar dyshohet se ka tentuar të kryejë grabitje në një objekt hotelier, nën kërcënimin e armës.
Sipas policisë, reagimi i shpejtë i zyrtarëve të SPB Tetovë ka bërë të mundur arrestimin e të dyshuarit në një kohë të shkurtër pas ngjarjes.
Rasti ka ndodhur më 3 qershor 2026, rreth orës 15:30–16:00, në rrugën “Ilinden” në Tetovë. I dyshuari H.D. (22) nga Tetova është ndaluar nga policia dhe gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë gazi.
Sipas njoftimit zyrtar, pas testimit është konstatuar se ai ka qenë nën ndikimin e alkoolit, me 1.35 promilë në gjak.
Më herët, në polici është raportuar se i njëjti person kishte hyrë në lokalin ku punonte A.I. (38) dhe nën kërcënimin e armës i kishte kërkuar para. Pasi është refuzuar, mes tyre ka pasur përleshje fizike, gjatë së cilës i dyshuari ka goditur punonjësin me qytën e pistoletës në kokë.
Pas incidentit, ai është larguar nga vendi i ngjarjes, por është lokalizuar dhe arrestuar shpejt nga policia.
Autoritetet bëjnë të ditur se i dyshuari po mbahet në stacion policor dhe ndaj tij do të ngrihet kallëzim përkatës pas dokumentimit të plotë të rastit.
