Konfiskohen bizhuteri ari me vlerë 1.1 milion denarë në Bogorodicë, procedohen penalisht dy shtetas të Kosovës

Në pikën kufitare të Bogorodicës janë konfiskuar bizhuteri ari në vlerë prej rreth 1.1 milion denarësh, pasi oficerët doganorë kanë zbuluar dy shtetas të Kosovës që dyshohet se tentonin t’i fusnin kontrabandë në vend.

Sipas njoftimit të Doganave të Maqedonisë së Veriut, të dyshuarit i kishin blerë bizhuteritë në Turqi, ndërsa për t’i shmangur kontrollet doganore i kishin fshehur në trup dhe i kishin mbuluar me rrobat e tyre.

Gjatë kontrollit janë gjetur katër zinxhirë ari me peshë të përgjithshme prej 190.6 gramësh, të cilët janë sekuestruar nga autoritetet kompetente.

Rasti është përcjellë në Departamentin e Hetimeve, i cili ka paraqitur kallëzime penale ndaj dy personave në Prokurorinë Publike në Gjevgjeli për veprën e kontrabandës.

Nga Drejtoria e Doganave bëjnë të ditur se ky është rasti i 11-të i konfiskimit të arit gjatë këtij viti. Deri më tani janë sekuestruar gjithsej rreth dy kilogramë bizhuteri ari në pika të ndryshme kufitare të vendit.

Autoritetet theksojnë se do të vazhdojnë me kontrolle të shtuara dhe masa të rrepta për të parandaluar kontrabandën dhe për të luftuar të gjitha format e krimit ekonomik.