Humb jetën një punonjës i EVN-së gjatë kryerjes së detyrës në Kriva Pallankë

Një punonjës 52-vjeçar i kompanisë EVN nga Kriva Pallanka ka humbur jetën gjatë kryerjes së detyrave të punës në rajonin e fshatit Ogut, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Sipas informacionit zyrtar, rasti është raportuar më 16 qershor, rreth orës 13:00, në Departamentin e Policisë në Kriva Pallankë nga Institucioni Shëndetësor Publik i qytetit, pasi në vendin e quajtur “Poljana” është gjetur një person pa shenja jete.

Pas verifikimeve të kryera, është konstatuar se bëhet fjalë për S.J. (52) nga Kriva Pallanka, i cili ishte i punësuar në EVN dhe kishte ndërruar jetë gjatë kryerjes së obligimeve të punës.

Mjeku kompetent ka konstatuar vdekjen, ndërsa me urdhër të prokurorit publik trupi i të ndjerit është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, me qëllim të përcaktimit të shkaqeve të sakta të vdekjes.

Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.