Kirurgia plastike Senera Hoxha ka qenë e ftuar së fundmi në emisionin “Ftesë në pesë”, ku përballë moderatores Bieta Sulo ka ndarë rrëfime të sinqerta nga jeta e saj personale, duke prekur momente nga ndarja e bujshme e deri te ngjarjet e dhimbshme të fëmijërisë.
Duke u ndalur te jeta sentimentale, ajo tregoi se kjo verë e ka gjetur në një gjendje shumë të mirë emocionale dhe me zemrën plot. Pas mbylljes së lidhjes me ish-partnerin, me të cilin tashmë ruan vetëm raporte korrekte dhe profesionale pasi janë kolegë, Hoxha theksoi se parimet e saj në dashuri janë të panegociueshme.
“Besoj ende në dashuri, natën e bëj gjumin rehat dhe jam e ngopur me komplimente”, u shpreh ajo, duke shtuar se nuk pranon asnjë lloj kompromisi kur bëhet fjalë për tradhtinë.
Gjatë bisedës në studio, atmosfera ka ndryshuar kur ajo është kthyer pas në kohë, duke ndarë një kujtim tejet të dhimbshëm nga fëmijëria e saj në Cërrik. Kur ishte vetëm 7 vjeç, ajo ka përjetuar një ngjarje tronditëse në oborrin e gjyshes, ku nëna e saj u plagos nga një plumb qorr.
“Nuk e harroj kurrë oborrin e larë me gjak”, tregoi kirurgia, duke sjellë në vëmendje një nga plagët më të mëdha të jetës së saj.
