Katër të mitura në procedurë penale për dhunën ndaj 12-vjeçares në Shkup

Prokuroria Publike ka kërkuar fillimin e procedurës përgatitore ndaj katër vajzave nga Shkup, të dyshuara për veprën penale dhunë, pas sulmit ndaj një vajze 12-vjeçare më 20 qershor në një kënd lojërash pranë një qendre tregtare.

Sipas Prokurorisë, në incident ka marrë pjesë edhe një fëmijë 13-vjeçar, i cili për shkak të moshës nuk mund të mbahet penalisht përgjegjës.

Të dyshuarat dyshohet se e kanë detyruar viktimën të gjunjëzohej dhe t’u kërkonte falje, ndërsa më pas e kanë goditur me shuplaka dhe e kanë tërhequr për flokësh. Si pasojë, 12-vjeçarja ka pësuar lëndime trupore.

Prokuroria thekson se ngjarja ka shkaktuar ndjenjë pasigurie dhe frike te dëshmitarët dhe publiku.

Prokurori publik ka kërkuar gjithashtu që gjykata t’u caktojë të dyshuarave masë kujdesi, duke u ndaluar t’i afrohen, të kontaktojnë apo të mbajnë lidhje me njëra-tjetrën dhe me viktimën gjatë zhvillimit të procedurës.